Monday, September 6, 2010

PUBLIKU SI PJESË E KULTURËS MASIVE


Besnik Fetahu
__________________________________________________________________________________

A keni menduar se sa shpenzoni materialisht dhe e kaloni kohën për të gjitha segmentet në vijim: qasje në internet, qasje në sinjalin kabllor, shërbime satelitore, videolojëra, telefona celularë? Sot mediat dhe mjetet e ndryshme të komunikimit masiv, po ushtrojnë ndikim të madh dhe të drejtpërdrejtë mbi kulturën tonë të jetesës, organizimin politik, ekonomik dhe në tërësi shoqëror.

Ne jetojmë në një shoqëri të ngopur nga mediat, të cilat po e luajn një rol vendimtar në formimin dhe reflektimin e opinionit publik, në informimin e individit me informata për ngjarjet aktuale në vend dhe botë, duke bërë në mënyrë indirekte riprodhimin e vetë imazhit të shoqërisë. Efektet nga këto implikime të medias nuk kanë të bëjnë thjeshtë me mënyrën se si ngjarjet janë përceptuar dhe pranuar, por me një numër të ndikimeve kulturore që veprojnë ndëpërmjet medias. Përdorimi i teknologjisë informative ka një efekt transformues, duke bërë të mundur miliona njerëzve përdorimin e postës elektronike, pajisjes për kërkim në world wide web, për qasje në navigacionin satelitor (GPS), për të shpenzuar blogging kohë, blerjen dhe shitjen e produkteve në eBay, në kërkim të informacionit në Google, blerjen e librave dhe produkteve tjera në Amazon.com, krijimin e faqeve komunikuese dhe shoqërore në facebook, twitter, myspace apo për të shikuar video në youtube.

* * * * *

Mediat vlerësojnë lartë opinonin publik sepse kjo u ndihmon atyre në organizimin e mbrendshëm, në ndërtimin e imazhit të tyre publik, në plasimin e produkteve të kërkuara, në promovimin efektiv të reklamës, në projektimin e një plani të mirëfilltë për marrëdhënie me publikun. Nëpërmes këtij plani mediat përcaktojnë se cilat metoda duhet përdorur, si duhet qasur informatës, si duhet gjeneruar të hyrat financiare përmes shitjes së prodhimeve mediale. Mediat paraqesin produktet e hartuara me kujdes të cilat reflektojnë shumë vendime dhe janë rezultat i ndikimit të shumë faktorëve. Pjesa më e madhe e botëkuptimit tonë është e bazuar në mesazhet që na i oforon media. Mesazhe për çështjet se si duhet shikuar rolin e grave në shoqëri, si duhet pranuar autoritetin e pushtetit, si duhet krijuar tolerancën etnike dhe fetare. Pastaj na përfshijnë në çështje të tilla si të drejtat e njeriut në Kinë, mungesa e ushqimeve në Afrikë, epidemia e AIDS-it, vërshimet në Pakistan. Ato na japin një ndjenjë për çështjet kombëtare dhe shqetësimet globale, kështu që ne jemi bërë një ‘fshat global’ sipas McLuhan-it. Ai do të vazhdonte të pohonte se media ka gramatikën e vetë dhe e kodifikon realitetin në mënyrë të veçantë.

* * * * *

Po, çka janë mediat? Së pari, mediat janë organizata, në të cilat punojnë gazetarët dhe punonjësit e ndryshëm; së dyti, përdorin teknologjinë bashkëkohore duke funksionuar në bazë të informatave dhe përmbajtjeve mediale që prodhojnë ato; së treti, shpërndajnë informatat dhe produktet e tyre një audiencë të gjerë. Sot këto prodhime mediale u sigurojnë atyre një komoditet që llogaritet në miliona euro. Prandaj ato janë atraktive për grupet e interesit si dhe për ndikimin e tyre në krijimin dhe ndryshimin e opinionit publik. Këto grupe të interesit vazhdimisht tentojnë të kenë ndikim në media për shkak të interesave financiare dhe politike. Grupe të interesit mund të jenë njerëzit e lidhur me partitë politike, zyrtarë qeveritar, deputetë, gjyqëtarë, ndërmarrjet publike dhe private, bizneset e ndryshme, grupet kriminale dhe mafioze. Nga rëndësia që u është rritur në shoqëri, studiuesi McQuail identifikon karakteristikat kryesore të mediave, siç janë: së pari, mediat zakonisht janë organizata komplekse formale; së dyti, mediat drejtohen drejt audiencave të mëdha; së treti, mediat janë shërbyes publik dhe përmbajtja e tyre është e hapur për të gjithë; së katërti, audiencat janë heterogjene; së pesti, mjetet e komunikimit masiv kanë krijuar kontakte të shpejta dhe në të njejtën kohë me një numër të madh të njerëzve, që jetojnë në një distancë nga njëri-tjetri; së gjashti, marrëdhënia ndërmjet personaliteteve në media dhe audiencës është e ndërmjetësuar; dhe së fundi, publiku është pjesë e një kulture masive.

* * * * *

Ju ka rastisur të ndëgjoni se liria e shprehjes dhe e shtypit, së bashku me të drejtën e organizimit, janë qenësore në nxitjen e qeverisjes së përgjegjshme dhe transparente, në zhvillimin e shoqërisë demokratike në tërësi. Megjithatë, sfidat e paraqitura nga kontrolli sistematik i informacioneve dhe censura nga ana e pushtetit janë komplekse. Ky kontroll është aq efektiv dhe i kamufluar, sa që studiues të ndryshëm tërheqin vërejtjen se kjo ndodh për disa arësye: mungesa e një kulture politike në sendërtimin e institucioneve demokratike, trashigimia historike dhe socio-kulturore, stabiliteti socio-ekonomik dhe politik i paqëndrueshëm.

Mediat të cilat refuzojnë të bëjnë kompromise me pushtetin, shpallen ‘heretike’, linçohen publikisht si ‘tradhtare’, ‘misionare’, ‘mediokre’, media që nuk ia dojnë ‘të mirën’ vendit. Në këto rrethana mediat vështirë e kanë të përmbushin funksionin e tyre mbikqyrës (watchdog) ndaj pushtetit.

Kontrolli në shoqëritë joautoritare në përgjithësi arsyetohet në katër raste: së pari, kur rrezikohet ligjshmëria dhe shteti, interesi nacional nga tradhtia dhe kryengritja; së dyti, kur kërcënohet sekreti shtetëror; së treti, kur duhet mbrojtur reputacioni individual dhe jeta private; dhe së katërti, kur duhet ruajtur standarti i moralit sundues të shoqërisë. Të gjitha qeveritë e përdorin këtë ndërhyrje si domosdoshmëri e mbrojtjes së paqes dhe të sigurisë individuale dhe kolektive.

Kontrolli klasik i mediave ushtrohet nëpërmjet dy formave: e para, organizatave mediale u kërkohet që të regjistrohen dhe miratohen nga pushteti dhe duhet të monitorohen nga pushteti nëpërmes departamenteve të tij të autorizuar; së dyti, një fakt i paprekshëm është abuzimi i pushtetit në rishikimin e historisë në mënyrë që t’i privojnë qytetarët nga një memorie e saktë kolektive. Në këto raste, pushteti jo vetëm që kontrollon dhe manipulon se çka qytetarët duhet të mendojn por shtrembëron kujtesën e tyre historike dhe e bënë rezistente ndaj vlerave demokratike, lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut. Andaj forcimi i rolit të mediave në avokimin e çështjeve të lartëpërmendura janë në interes të publikut. Pjesëmarrja e tij në procesin politik është themeli i sistemit të kontrollit dhe ekulibrit.



besnik.fetahu@gmail.com

No comments:

Post a Comment