Monday, September 6, 2010

VËRTETË I ZGJODHËN DIPLOMATËT!


Besnik FETAHU
______________________________________________________________________________________


Procesi i zgjedhjes së diplomatëve të parë ose siç po i quajnë të ngarkuarve me punë në shërbimet diplomatike vërtetë nuk ishte transparent, vërtetë mungonte një konsensus i gjerë politik në mesin e pozitës dhe opozitës, e cila nuk do të kalojë pa lënë pasoja afatgjata në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës. Dikush mund ta quaj si mungesë e formimit të një kulture politike dhe institucionale, apo e ndikimeve të ndryshme nga faktori ndërkombëtar megjithatë si do që të jetë, vonesat në formimin e shërbimeve diplomatike dhe në hartimin e një plani veprues në politikën e jashtme do na i vendosin interesat shtetërore në një pozitë defanzive.

* * * * *

Duhet pasur parasysh që shërbimet diplomatike janë aparate shtetërore dhe si të tilla duhet të jenë apolitike. Vetë misioni i tyre është promovimi dhe mbrojtja e interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. Në qoftë se vazhdohet me emërimin e militantëve partiak në ambasador shtetëror siç është bërë me disa nga 10 të përzgjedhurit e parë, vërtetë do të ballafaqohemi me disa situata faktike: Së pari, devotshmëria e tyre ndaj interesave shtetërore dhe qytetarëve të saj është e dyshimt përballë devotshmërisë së tyre ndaj parties; Së dyti, me ndërrimin e pushtetit bëhen ndërrime edhe në shërbimin diplomatic; Së treti, do të vazhdohet të derdhen miliona euro të taksapaguesve kosovar në emër të “ri-ngritjes së kapaciteteve” të shërbimeve diplomatike; Së fundi, e tëra kjo do të rezultojë me mungesën e politikave të jashtme kontinuele që do të rezultojnë në dëm të interesave shtetërore.

* * * * *

Në paraqitjen e shkurtër në mediat vizuele që na e bënë diplomatët e parë apo të ngarkuarit me punë, tek disa vërehej një paraqitje e zbehtë, një mungesë vizioni dhe një mungesë njohurie për misionin për të cilën janë ngarkuar. Ambasadat e Republikës së Kosovës në vetëvetë duhet të ngërthejnë këto shërbime: Së pari, përmes shërbimeve konsulare të mbrohet jeta dhe interesi i qytetarit kosovar në botën e jashtme, të ngritet siguria shtetërore e Republikës së Kosovës përmes procedurave administrative të dhënies së vizave dhe dokumenteve tjera zyrtare të Republikës së Kosovës, ofrimi i përkrahjes së qytetarëve kosovarë në botën e jashtme në situatat e trazirave politike apo fatëkeqësive natyrore; Së dyti, përmes shërbimeve menaxhuese synohet negocimi i marrëveshjeve bilateral, menaxhimi i aseteve financiare, përkrahja teknike dhe siguruese për ambasadat, konsullatat dhe shërbimet tjera diplomatike; Së treti, përmes shërbimeve ekonomike bëhen ekspertiza teknike për të analizuar efektet e ekonomisë së vendit mikëpritës në klimën politike dhe në interesat ekonomike të Republikës së Kosovës; Së fundi, shërbimet politike kanë për detyrë analizimin e çështjeve politike në vendin mikëpritës dhe në regjion, ndikimi i tyre ndaj interesave shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ofrimi i rekomandimeve për politikën e jashtme të Prishtinës në bazë të ekspertizave që nxjerrin.

* * * * *

Vërtetë shërbimi ynë diplomatik do të ballafaqohet me çështje të ndryshme ndërkombëtare që nga procesi i njohjes së shtetit të Kosovës, integrimeve euroatlantike, lidhjes së marrëveshjeve bilateral, luftës globale kundër terrorizmit, luftës kundër HIV/AIDS-it, trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të lëndëve narkotike dhe shumë të tjera.

No comments:

Post a Comment